Njoftimi i Federates Shqiptare te Rafting: 

Sot ne daten 11 Maj u gjend trupi pa jetë i shtetasit holandez Jules Schurmmans nga Skuadra e Federates Shqiptare të rafting dhe Albania Rafting Group në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA dhe Policinë e Shtetit .I shprehim ngushëllimet tona familjes Schurmmans !

Presidenti i Federatës Shqiptare të Rafting Z.Zamo Spathara shpreh shqetësimin e tij për ngjarjen dhe bën thirrje që të gjithë personat, vendas apo të huaj, të cilët bëjnë aktivitete sportive dhe aventure si rafting, kayaking dhe eksplorim kanionesh, t’i referohen guidave profesioniste të licencuara dhe të trajnuara nga Federata Shqiptare e Rafting për t’u pajisur me të gjitha informacionet dhe pajisjet e nevojshme për të hyrë në kanion në siguri të plotë. Federata kërkon bashkëpunimin e të gjitha institucioneve qendrore dhe vendore, si dhe në mënyrë të veçantë, të të gjitha agjencive dhe operatorëve turistikë, të mediave televizive dhe të shkruara që të informohen turistët e huaj për rrezikshmërinë e hyrjes në kanion pa informacionin dhe pajisjet përkatëse. Përveç kësaj i bën thirrje institucioneve përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor që të gjitha destinacionet turistike natyrore dhe të sportit të aventurës të pajisjen me tabela informuese për nivelin e vështirësisë dhe pajisjet e nevojshme profesionale që kërkon eksplorimi apo aventura në zona të caktuara. Është e domosdoshme që të gjithë turistët të jenë të shoqëruar nga guida të trajnuara nga federata dhe institucionet e posaçme dhe me eksperiencë. Rafting, kanyoning dhe river hiking janë disiplina shumë të bukura por shumë komplekse dhe të rrezikshme nëse guidat nuk janë të trajnuara dhe të kenë eksperiencën e duhur. Kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithëve për ta bërë rafting si sport dhe aktivitet turistik sa më të sigurt.