Një fëmijë me origjine shqiptare, djali i një 44-vjeçari polak dhe i një 32-vjeçareje shqiptare, është vrarë nga i ati ditën e djeshme në Itali. Ngjarja e rëndë, sipas raportimeve të mediave italiane, u shënua në Cura di Vetralla, në provincën e Viterbos.
I ati i fëmijës, Mirko Tonko, një roje sigurie në një spital të zonës, vrau djalin e tij 10-vjeçar duke i prerë fytin me thikë kuzhine. Krimi ndodhi në shtëpinë ku Mattias jetonte vetëm me nënën e tij pasi Gjykata e Viterbos kishte vendosur që 44-vjeçari mos t’i afrohej banesës.
Polaku dhe shqiptarja i kishin dhënë fund martesës. Sipas mediave italiane, shkaku ishte dhuna sistematike që 44-vjeçari kishte ushtruar ndaj shqiptares. Raportohet se fëmija u kthye në banesë pas shkolle rreth orës 13.30 i shoqëruar nga një i afërm i tij.
Mbetet e paqartë se si i ati i tij ka arritur të hyjë në banesë ku kreu dhe krimin. Raportohet se ky i fundit sapo kishte dalë nga një spital Covid-i në Romë.
Mariola Rapaj, 32 vjeç, e gjeti djalin e saj të pajetë në dysheme kur u kthye në banesë nga puna, rreth orës 15.30. Burri ishte në një dhomë tjetër. Ky i fundit u arrestua nga policia. Karabinierët po dëgjojnë dëshmitarët për të rindërtuar atë që ndodhi në banesën e një pallati dykatësh.
Lidhur me ngjarjen reagoi dhe kryebashkiaku i Vetrallës, Sandrino Aquilani, i cili, në faqen e Komunës në FB, shpreh ngushëllimet e tij: “Me dhimbje të thellë mësojmë lajmin për vrasjen e një bashkëqytetari tonë të vogël. Mattias ishte vetëm 10 vjeç dhe vdiq në mënyrë të pashpjegueshme. Një histori që na lë të habitur dhe të tronditur dhe që në këtë moment, duke pritur që drejtësia tokësore të marrë rrugën e saj, duhet të na çojë drejt reflektimit, meditimit dhe lutjes”.