Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan do të vizitojë ditën e nesërme Shqipërinë. Sipas axhendës së zbardhur nga autoritetet turke, ai pritet të mbërrijë në vendin tonë rreth orës 09:00 ku do të pritet nga kryeministri Rama në aeroportin e Rinasit.

Më pas, Erdogan dhe delegacioni i tij do t’i drejtohet Kurbinit, ku do të shohë nga afër ndërtesat e reja, produkt i ndihmës së Turqisë për rindërtimin. 524 apartamente të reja banimi që tanimë kanë përfunduar, do të përurohen nga Erdogan.

Erdogan është shprehur për median turke ADN se e sheh Shqipërinë si mike dhe një aleate të natyrshme. Sipas tij, marrëdhëniet me Shqipërinë janë më produktive. Më tej, kreu i shtetit turk shton se Shqipëria është në qendër të prespektivës së Turqisë për të pasur një marrëdhënie të mirë me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

FJALA E PRESIDENTIT RECEP TAYIP ERDOGAN

Turqia është një pjesë e pandashme e Ballkanit dhe Ballkani është një rajon i domosdoshëm në interesat e Turqisë. Pikëpamja e Turqisë për Ballkanin është formuar nga historia dhe kultura e përbashkët. Sidomos gjatë dy dekadave të fundit, Turqia ka bërë çmos për të nxitur marrëdhënie më të ngushta dhe më miqësore me vendet e Ballkanit. Shqipëria është në qendër të kësaj perspektive. Turqia e sheh Shqipërinë edhe si mike edhe si aleate të natyrshme. Turqia beson se rritja e mirëqenies dhe stabilitetit në Shqipëri do t’i shërbejë paqes dhe qetësisë në të gjithë rajonin. Në këtë drejtim, Turqia ka mbështetur gjithmonë me vendosmëri zhvillimin dhe sigurinë e Shqipërisë mike dhe vëllazërore me ndjenjat më të përzemërta dhe të sinqerta dhe është e vendosur ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.

Si rezultat i këtij vullneti, Shqipëria është kthyer në një nga vendet ballkanike me të cilat marrëdhëniet e Turqisë janë më të qëndrueshme dhe pozitive. Në kuadrin e parimit të “dialogut politik të nivelit të lartë” të politikës së jashtme turke, marrëdhëniet me Shqipërinë po diversifikohen dhe thellohen çdo vit.

Bashkëpunimi në fushat sociale, kulturore dhe ekonomike po rritet çdo vit. Marrëveshjet e nënshkruara gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Turqi në 6 janar 2021 kanë qenë një pikënisje e re dhe historike. Si rezultat i kësaj vizite, midis Turqisë dhe Shqipërisë u nënshkrua Deklarata e Përbashkët Politike për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë, e cila ka qenë në rendin e ditës prej vitesh, dhe marrëdhëniet mes dy vendeve u ngritën në nivelin e partneritetit strategjik.