Pas përjashtimit nga Australia, ku nuk mori dot pjesë në grand slam e Australian Open pasi është i pavaksinuar, tenisti serb rrezikon të mos luajë edhe në një tjetër turne të madh, atë të Roland Garros, që zhvillohet në fund të majit në Paris.

Edhe pse fillimisht organizatorët e këtij grand slam e mirëpritën tenistin, së fundi janë deputetët ata që kanë kërkuar miratimin e normave të reja anti-Covid, duke parë se pandemia po bën sërish kërdinë me raste të reja në Francë.

Ideja është ajo e krijimit të një zone të mbyllur për sportistët e pavaksinuar, duke zbatuar një protokoll të rreptë anti-Covid për lëvizjen e tyre si dhe duke vendosur karantinën e detyrueshme. Kjo situatë mund të pengojë Djokovic.

“Pasaporta vaksinale është e detyrueshme për spektatorët dhe pë rata që praktikojnë sportin profesionist, si për francezët ashtu dhe për të huajt”, thsa Ministrja e Sportit të Francës, Roxana Maracineanu. Pra, edhe Franca po ndjek një linjë të ashpër për të pavaksinuarit, ashtu si Australia.

Djokovic ka ende kohë për të vendosur, duke shpresuar që situata me pandeminë të përmirësohet e po ashtu edhe rregullat të lehtësohen. Ai është kampion në fuqi në Roland Garros, por ka gjasa që ai të mos luajë edhe në turnetë që e praprijnë atë.