Izraeli e ka regjistruar shifrën më të lartë të rasteve me Covid-19 që nga fillimi i pandemisë me gati 11.000 të infektuar të rinj për 24 orë. Besohet se kjo përhapje po shkaktohet nga varianti Delta.

Rekordi i mëparshëm i rasteve ishte shënuar më 18 janar të këtij viti me 10.118 raste të reja për një ditë, shkruan The Guardian.

Pavarësisht rekordit të së martës, Izraeli po e çon përpara planin për hapjen e plotë të shkollave të mërkurën, ndërsa autoritetet po mundohen që ta rrisin edhe më tej shkallën e vaksinimit.

Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, i cili i kritikonte masat izoluese që u zbatuan nga paraardhësi i tij, Benjamin Netanyahu, ka thënë se beson që përhapja e virusit mund të mbahet nën kontroll përmes vaksinimit dhe masave mbrojtëse si përdorimi i maskave.

Qeveria e Bennettit i ka inkurajuar të gjithë banorët mbi moshën 12-vjeçare që ta marrin dozën e tretë të vaksinës së kompanive Pfizer e BioNTech.

Rreth 60 për qind e popullsisë mbi 9-milionëshe të Izraelit i kanë marrë dy dozat e vaksinës, ndërsa kjo përqindje është 80% tek të rriturit.