Kjo është një periudhë shumë e rëndësishme për fansat e Formula 1, pasi ekipet e ndryshme kanë filluar të prezantojnë pamjet e para të makinave të reja të cilat mund të transformojnë sportin dhe kompeticionin në pistë.

Mercedes, AlphaTauri dhe Williams janë ekipet e para që kanë publikuar disa fotografi në rrjetet sociale të cilat prezantojnë këto makina.

Mercedes ishin të parët që publikuan një fotografi siluetë të kësaj makine. Dizajni i ri duket mjaft tërheqës me ndryshime në pjesën e krahëve të parmë dhe të pasëm. Më pas Mercedes publikoi një postim të ri të makinës që mban numrin 63, e cila i përket partnerit të ri të Lewis Hamilton, George Russell.

Nga ana tjetër, AlphaTauri publikoi një video promocionale të makinës koncept që Pierre Gasly dhe Yuki Tsunoda do të drejtojnë në 2022, duke treguar se sa ndryshe këto makina do të duken.

Mirëpo pamjet më të mahnitshme erdhën nga ekipi Williams, të cilët ditën e enjte publikuan dizajnin e ri të makinës. Detajet e mëtejshme rreth këtyre makinave nuk janë publikuar ende, por ne besojmë se një kampionat tepër kompetitiv do të na presë në 2022.

Mirëpo pse po bëhet ky ndërrim i makinave?

F1 shpesh herë prezanton disa rregulla të reja për të ndryshuar makinat që marrin pjesë në këtë kompeticion. Ato kanë si qëllim të përmirësojnë sa më tepër garimin, duke shtuar paparashikueshmërinë dhe kënaqjen e ndjekësve.

Ndryshimet kryesore janë bërë në zonën e gomave dhe aerodinamikës së makinave.