Eksportet janë rritur me një normë 10.5% krahasuar me një vit më parë, duke përmbysur për herë të parë situatën që shkaktoi pandemia në shumë industri të vendit, e duke rigjallëruar kërkesën për mallra nga jashtë.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, Shqipëria ka tregtuar jashtë kufijve 270 milion dollarë mallra, një rritje me 20 milion dollarë krahasuar me nëntorin e kaluar.

Të gjithë sektorët, me përjashtim të fasonëve dhe përpunuesve të lëkurës e plastikës kanë shënuar rritje.

Kthesën më të madhe e ka bërë grupi i makinerive pajisjeve, materialeve të ndërtimit dhe energjisë dhe mineraleve duke dhënë sinjale për ringritjen e sektorit industrial.

Edhe importet kanë shënuar rritje me 5% krahasuar me vitin e shkuar. Kryesisht kërkesa ka qenë e lartë për produkte ushqimore, makineri e pajisje dhe metale.

Kërkesa për mallra nga partnerët tregtarë historikë si Italia dhe Greqia është shtuar në fund të vitit duke rezultuar vendet me  rritjen më të lartë të eksporteve.