Shoqata e Eksportuesve të Greqisë Veriore (SEBE) në një letër drejtuar ministrive kompetente kërkon rihapjen e pikës kufitare të Kapshticës , duke theksuar se përveç  vonesave në planet e biznesit dhe anulimet e porosive, ka një rritje të konsiderueshme në kostot e transportit, në afate dhe si pasojë uljen e aftësisë konkurruese të kompanive të eksportit të vendit.

Të tilla kërkesa ka çuar dhe Dhoma e Tregtisë së Selanikut  nëntorin e kaluar, por edhe me pas prefektura e  Maqedonisë Perëndimore dhe  njësitë rajonale të Follorinës dhe Kosturit, bën me dije kanali publik i Greqisë.

Çështja përshkruhet si “kritike për ekonominë e Greqisë veriore dhe qendrore”, pasi eksportet e Greqisë në Shqipëri ,572 milion euro, janë rreth 5 herë më të larta se importet ,128 milion euro.

Një problem tjetër i rëndësishëm që ka lindur është edhe vështirësia për hyrjen e punëtorëve sezonale të tokës nga Shqipëria, për punët bujqësore në periferitë greke të Maqedonisë Perëndimore dhe Qendrore si dhe Thessali, duke pasur parasysh mungesën e lidhjes së transportit midis zonave dhe pikave kufitare si ne anën greke ashtu edhe në atë shqiptare.

Përfaqësuesit e fermerëve nga këto zona, kërkojnë që dogana të rihapet përsëri dhe të lejohet të hyjnë qytetarët në vend, në mënyrë që të sigurohen krahët e punës kaq të nevojshme për bujqësinë greke. Rihapja e plotë ,thonë ata, duhet të bëhet me kushtet që zbatohen edhe për pikat e tjera kufitare, pra kërkohet vendosja e një grupi të posaçëm të personelit mjekësor që do të kryejë testet e nevojshme për koronavirusin.

Hapja e Kapshticës vlerësohet se do të lehtësojë edhe numrin e madh të personave në dy pikat e tjera të kufirit tokësor të Greqisë.

Pika e kalimit në Kapshticë vijon të qëndrojë i mbyllur që nga data 20 nëntor, në kuadër të masave anti-koronavirus që mori Greqia. Bëhet fjalë për pikën e vetme në kufijtë mes dy vendeve që ka qasje të drejtpërdrejtë në autostradën internacionale Egnatia dhe i shërben të gjithë Greqisë Veriore dhe Qendrore, me pothuajse 2 milion kalime çdo vit.

(E.H/Faxweb.al)