Një prej truprojave të ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, 47-vjeçari Hekuran Marku është ekstraduar nga Gjermania në Shqipëri.

Hekuran Marku është vënë në pranga nga Policia në Gjermani me qëllimin ekstradimin drejt Shqipërisë në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të nxjerrë nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana.

SPAK i ka caktuar Markut masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafik narkotikësh”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.

Ndërkohë mësohet se ish-truproja tjetër e Tahirit, Paulin Deda, është ende i lirë në Francë, pasi ka kërkuar azil politik atje dhe autoritetet janë duke shqyrtuar kërkesën e tij.

Emrat e dy ish-truprojave dolën në operacionin ndërkombëtar të koduar “Shpirti”, operacion ky që vendosi në pranga biznesmenë, prokurorë dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, të akuzuar si pjesëmarrës në veprimtaritë kriminale të drogës.

Marku dhe Deda akuzohen si të përfshirë në ‘skemën’ e trafikut ndërkombëtar të kanabisit të drejtuar nga Ilirjan Duçellari.

Sipas SPAK, 2 truprojat kanë bashkëpunuar edhe me 4 italianë dhe një shqiptar për të trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë. Kjo sasi droge u sekuestrua më pas në Bari ku u vendosën në pranga 2 persona. Në dosje thuhet se Marku dhe Deda kishin kultivuar drogën në disa parcela në Tepelenë dhe ishin kujdesur për transportin e tyre.