Ministria e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka inspektuar ditën e sotme burgun e Elbasanit. Inspektimi u krye për verifikuar masat parandaluese anti-covid dhe përmirësimin e kushteve për trajtimin e personave të dënuar, si edhe për t’i dhënë mbështetje punonjësve të policisë së burgjeve dhe stafit civil në këto kohë të vështira pandemie.

Ministrja Gjonaj ka vënë theksin tek masat anticovid dhe sidomos tek protokollet e sigurisë për të shmangur problematikat e pandemisë tek stafi i burgjeve dhe tek të dënuarit. Në vijim Ministrja e Drejtësisë ka kërkuar që pandemia dhe rastet e shfaqjes së saj në institucionet penitenciare të mos ndikojë absolutisht për uljen e vigjilencës nga trupat e shërbimit në lidhje me çështjet e sigurisë.

Ministrja vizitoi mjediset e përbashkëta të të dënuarve, sallën e komunikimit online me familjarët, infermierinë dhe ambjentet shëndetësore të burgut të Elbasanit dhe bashkëbisedoi me stafin mjekësor të IEVP-së. Ministrja Gjonaj kontrolloi personalisht kuzhinën e IEVP-së, programin e ushqimit, si edhe protokollet sanitare të stafit mbështetës.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj u theksoi mbështetjen strukturave të burgjeve dhe e siguroi personelin policor se përpjekjet e saj për mirëtrajtimin e tyre financiar nuk do të pushojnë derisa të barazohen me pagat dhe shpërblimin financiar sipas gradave të Policisë së Shtetit.

Gjithashtu Ministrja i kërkoi drejtuesve të burgut që të mos heqin dorë nga garantimi maksimal i marrëdhënieve etike me vartësit. Gjonaj i ritheksoi ekipit të IEVP-së aplikimin e linjës së hapur të komunikimit direkt me Ministren dhe strukturat e saj, për të raportuar çdo problematikë ose shqetësim që cënon mbarëvajtjen e aktivitetit të përditshëm në sistemin penitenciar shqiptar.