Delin Beqiri, 36 vjeç nga Bubullima e Lushnjes, ka ndërruar jetë në burgun e Koridhalos në Greqi. 36-vjeçari shqiptar ka qenë jashtë në oborrin e palestrës kur është rrëzuar. Në vendngjarje ka mbërritur një ambulancë me ekipet e shpëtimit për ta dërguar në spitalin e Pireut, por ai ndërroi jetë.
Vdekja e 36-vjeçarit shqiptar mund të jetë për shkaqe patologjike ose për përdorim të tepruar të drogës. Për shkaqet dhe rrethanat e sakta të vdekjes së 36-vjeçarit shqiptar, pritet raporti mjeko-ligjor.
Beqiri u arrestua nga policia para rreth një muaji pas denoncimit të thjeshtrës së tij për abuzim seksual. Ajo gjithashtu e denoncoi atë për përdorim dhe tregtim droge, vepra që kanë ndodhur në dijeninë e nënës së saj, shtetases Dhurata Shpata, 50 vjeçe, nga Bubullima e Lushnjës.
Policia menjëherë ka kryer kontrolle në banesat e Beqirit e Shpatës, ku ka gjetur dhe sekuestruar 14 gram marijuanë, 4 thika, 1 pistoletë sportive, 3 peshore, 1 grirës, 3 celularë dhe 15.000 euro.
Jashtë banesave janë gjetur të fshehura 1 kg 491 gram marijuanë. Gjithashtu Shpatës i janë sekuestruar edhe 3275 euro. Policia ka sekuestruar si provë materiale edhe të brendshme të 25 vjeçares.
Gjatë marrjes në pyetje, 25-vjecarja tha se ajo kërcënohej nga Delin Beqiri përmes videove intime, ndërsa disa herë si shpërblim i jepte para dhe dhurata.