Gjykata në Itali ka dhënë dënimin me 8 vjet burg ndaj Mide Ndreut, ndihmësja shtëpiake pesëdhjetë e dy vjeçare, e cila më 24 nëntor 2021 goditi me thikë pensionistin Antonio Amicucci, 68 vjeç, në shtëpinë e këtij të fundit, për të cilin ajo punonte si ndihmëse shtëpiake. Ngjarja ndodhi në lagjen Sant’Andrea në Novara.

Vrasja në kushtet e vetëmbrojtjes

Gjykata e Kasacionit, vendosi ta dënojë Ndreun me 8 vite heqje lirie. Në shkallë të parë në Novara gruaja u dënua me 16 vjet e gjysmë për vrasje me dashje, por vitin e kaluar Gjykata e Apelit të Torinos njohu rrethanat e përgjithshme dhe specifike lehtësuese të rastit. Tashmë gruaja shqiptare duhet të vuajë dënimin me 8 vjet burg.

Si ndodhi ngacmimi e pastaj vrasja

Dënimi përfundimtar i Gjykatës së Kasacionit konfirmon atë që u rindërtua nga hetimet: gruaja, pasi kishte ndjerë se i moshuari kishte tentuar ta ngacmojë seksualisht, kishte rrëmbyer një thikë kuzhine dhe e kishte goditur trembëdhjetë herë Amicuccin, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas Ndreu thirri për ndihmë dhe u arrestua nga karabinierët, por ajo foli menjëherë për ngacmimet që kishte pësuar prej disa kohësh dhe e kishte justifikuar goditjen me thikë si vetëmbrojtje, duke theksuar se kishte reaguar me vrull dhe pa vullnetin për të vrarë pensionistin, që i dha punë. Gruaja iu nënshtrua një vlerësimi psikiatrik në Apel, i cili e njohu atë si të aftë për të kuptuar rrethanat.

BalkanWeb)