Modeli shumë i shpejtë i Tesla, S Plaid me sa duket është gati për t’u prezantuar para publikut. Që nga viti 2019 kemi parë informacione të ndryshme rreth këtij modeli, mirëpo me datë 3 qershor, në fabrikën në Kaliforni, do të njihemi me versionin final të saj.

Ky lajm erdhi nga vetë CEO i Tesla, Elon Musk, i cili publikoi një tweet ku e cilësonte atë si makinën më të shpejtë në botë, që do të arrijë shpejtësinë nga 0-100 km/h nën 2 sekonda. Shpejtësia maksimale e kësaj makine do të jetë 321 km/h dhe do të ketë një autonomi prej 835 kilometrash. Sigurisht e gjithë kjo performancë do të rrisë dhe çmimin e makinës, që do të jetë $139,990.

Për herë të parë Plaid Model S debutoi në pistën e Laguna Seca në 2019, duke përfunduar një xhiro në vetëm 1 minutë e 36 sekonda.

Personat që kanë porositur këtë makinë kanë mësuar prej Teslas fillimisht se ato do të dërgohen në prill, por më pas data u shty për në korrik. Me sa duket as Tesla nuk është imune ndaj mungesës së proçesorëve gjysëmkonduktor në treg. Për versionin Plaid Model X do të na duhet të presim deri në janar të vitit 2022.