Faqet e internetit të komunave të Kosovës, kanë dalë jashtë funksioni. Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se përkundër problemeve të vazhdueshme me muaj të tërë, në ditët e fundit funksionimi i webfaqeve të Komunave është tërësisht jashtë funksionit.

“Komunat e Republikës së Kosovës, ende janë duke u ballafaquar me probleme në fushën e teknologjisë informative, mosfunksionimin e web faqeve të Komunave dhe kjo po vështirëson punën në kryerjen e detyrave të përditshme”, deklaroi Ibrahimi, sipas të cilit, këto probleme po kanë efekt edhe në afate ligjore të komunave në shume procese.

“Pastaj qytetarët po ankohen për mungesë transparencë dhe kështu ky problem është bërë pengesë e jashtëzakonshme në kryerjen e punëve ditore të Komunave të Republikës së Kosovës”.

Lidhur me këtë problem, Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka dërguar disa kërkesa Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, por pa ndonjë efekt pozitiv në këtë drejtim.“Komunat edhe një herë shprehin nevojën urgjente në tejkalimin e kësaj situate nga institucionet përgjegjëse sikurse është Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI)”, tha Ibrahimi.

Ai sqaroi se bazuar në përgjigjet e  zyrtarëve komunalë, kjo po ndodh kryesisht për shkak të problemeve apo ngarkesave në serverat që mirëmbahen ëebfaqet e komunave dhe të problemeve të natyrës së tillë, e të cilat janë tërësisht në nivelin qendror.

“Këto shqetësime ka kohë që janë ngritur nga Kolegjiumi për Komunikim me Publikun, të Drejtorëve Komunal për Administratë dhe Kolegjiumin e Zyrtarëve Komunale të IT-ve por ende nuk ka nje zgjidhje te problemit”.