Grupi i hakerave iranianë, HomeLand Justice ka publikuar një tjetër mesazh në kanalin Telegram.

Grupi thotë se ka arritur te marrë 100 terabajt të dhëna në INSTAT, ku përfshihen edhe të dhënat e Censit.

INSTAT ra pre e nje sulmi kibernetik të enjten. Përgjegjësinë për të e ka marrë “Homeland Justice”.

Ata kanë publikuar edhe disa nga të dhënat e punonjësve të INSTAT. Lidhur me këtë sulm, në një reagim zyrtar, INSTAT  pohon se nga ekzaminimet e para të kryera nga ekspertët e Teknologjisë së Informacionit, rezulton se janë prekur disa nga sistemet e këtij institucioni.

Kjo nuk hera e parë që grupi i hakerave “HomeLand Justice” sulmon faqet online të institucioneve shqiptare. Rasti më i fundit ishte më 25 dhjetor të vitit që lamë pas, ku u sulmua faqja online e Kuvendit. Ndërsa më herët, janë publikuar të dhëna sensitive të qytetarëve por edhe zyrtarëve shqiptarë, ndërsa pati sulme edhe ndaj sistemit “TIMS” të policisë.

Organet e akuzës në Shqipëri kanë nisur një hetim prej vitit 2022 për sa I përket këtyre sulmeve ndërsa më 7 shtator të atij viti, Shqipëria akuzoi Iranin si autor të sulmit masiv kibernetik që goditi sistemet e teknologjisë së informacionit të qeverisë, duke paralizuar për disa ditë të gjithë shërbimet online.

Një reagim pati edhe nga Shtetet e Bashkuara të cilët dënuan sulmin kibernetik ndaj aleatit të NATO-s dhe thanë se kishin arritur në përfundimin se pas sulmeve qëndronte Irani./abcnews.al