Shoqata e Tenisit të Grave njoftoi pezullimin e menjëhershëm të të gjitha turneve në Kinë për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tenistes kineze Peng Shuai.

35-vjeçarja Peng u zhduk nga publiku për tre javë pasi akuzoi një zyrtar të lartë kinez për sulm seksual.

Shefi i WTA, Steve Simon deklaroi se ka dyshime serioze se Peng ishte e lirë, e sigurt dhe nuk po kërcënohet. “Me ndërgjegje të pastër, nuk e shoh se si mund t’iu kërkoj sportistëve tanë të garojnë atje”, tha Simons.

WTA ka kërkuar vazhdimisht një hetim të plotë mbi pretendimet e Peng.

Kishte një shqetësim të gjerë për tenisten pasi ajo akuzoi ish-zëvendëskryeministrin Zhang Gaoli për sulm seksual.

Ajo tha se ishte e sigurt dhe mirë gjatë një bisede video në nëntor me presidentin e Komitetit Olimpik, Thomas Bach, megjithatë, WTA shprehet se kjo video ishte e pamjaftueshme për të konfirmuar sigurinë e saj.