Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko foli për zbatimin e “Open Banking” në Shqipëri duke theksuar se Shqipëria është vendi i parë në rajon që po shkon në drejtim të këtij zhvillimi.

Ai deklaroi se ky zhvillim kërkon investime teknologjike për të mundësuar edhe sigurinë maksimale në banka. Sejko nënvizoi se janë ndërmarrë një sërë masash rregullative për të nxitur pagesat elektronike.

“Në nivel rajonal Shqipëria është vendi i parë që po nxit zbatimin e Open Banking. Ky koncept nënkupton krijimin e një strategjie teknologjike. Ky zhvillim kërkon investime që do të promovojnë inovacionin në një ambient ku kërkohet siguri maksimale. Përtej Open Banking, dua të përmend se janë ndërmarrë një sërë masash rregullative që kanë fokus nxitjen e pagesave elektronike.

Në masat e ndërmarra deri tani objektivat për vitin 2023 janë rritur ndjeshëm. Tregu është ndërgjegjësuar dhe është i vetëdijshëm se digjitalizimi është e ardhmja. E konsideroj me vlerë të theksoj se aktorët e tregut duhen parë si bashkëpunëtorët tanë strategjikë”, u shpreh Sejko.

Ai shtoi se sot po gjen vend praktika e pagesave përmes celularit të faturave, gjobave etj. “Nëse deri pak vite më parë pagesat përmes celularit të faturave, gjobave etj dukeshin të largëta sot po gjejnë vend. Sot 50% e transfertave procesohen në distancë.

Bankat mbeten të angazhuara për të akomoduar edhe nevojat e platformës E Albania. Dhënia prioritet e këtyre zhvillimeve do të sjellë lehtësim dhe ndërveprim më efikas. Të gjitha këto zhvillime nuk do kishin ndodhur pa zhvillimet teknologjike. Procesi i fiskalizimit vlerësohet si një ndryshim i rëndësishëm”, tha Sejko.