Zbulohen detaje të reja nga hetimet mbi pakon postare me 3991 karta SIM angleze që erdhi në Rinas në emër të shtetasit M.H.

Ndërkohë që policia nuk ka dalë ende zyrtarisht me një njoftim për rastin, News 24 raporton se kartat SIM janë blerë në Angli dhe kanë mbërritur në Shqipëri, në aeroportin e Rinasit para 10 ditësh.

Prokuroria dhe policia kanë nisur hetimet së bashku me prokurorinë britanike për një rrjet trafiku pasi dyshohet se kartat mund të përdoreshin nga grupet kriminale.

Ndërkohë, shtetasi me inicialet M.H., në emër të cilit ishin porositur kartat, ka mohuar të ketë dijeni për kartat në emër të tij, raporton News24.

Kartat janë aktive me PIN dhe PUK, kjo ka bërë që policia të vihet në lëvizje pasi mund të përdoren në treg të zi dhe mund të shfrytëzohen nga grupet kriminale për shpërthime te bombave me celular dhe për aplikacione te koduar për komunikime mes grupeve kriminale.