Administratorët shprehen pesimist

Efektet e pandemisë së Covid-19 duket se do të ndjehen edhe këtë vit në biznesin e vogël. Të paktën ky është paarshikimi përpara fillimit të sezonit të llixhave për ata të cilët operojnë në këtë fushë. Sezoni kurativ i dimrit në llixhat e Elbasanit përfundoi që në muajin Nëntor të vitit të kaluar.

Tashmë në këtë fshat është qetësi dhe pjesa më e madhe e administratorëve të hoteleve janë duke kryer rikonstruksione në ndërtesat e tyre për të mirëpritur turistët për sezonin e ri edhe pse siç pranojnë ata shpresat që ky sezon të jetë i suksesshëm janë të pakta.

Ndërsa të tjerë kërkojnë më shumë investime në këtë fshat pasi ka nevojë për ndërhyrje në infrastrukturë dhe ndriçim.

Gjatë sezonit kurativ të dimrit në Llixha u akomoduan 8500 pushues të ardhur kryesisht nga Kosova. Ata u kuruan në ujrat termale të Llixhave nga sëmundjet reumatizmale dhe kardiovaskulare .