Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 33 vjeçar i shpallur në kërkim për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Gjatë kontrollit në lokalin me qira ku ishte fshehur iu gjetën dhe u sekuestruan 1 armë zjarri dhe municion luftarak.

“Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas i shpallur në kërkim fshihej në ambientet e lokalit që kishte marë me qira, në lagjen nr.14, Durrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Pranvera”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: G. P., 33 vjeç, banues në Durrës. Shërbimet e Policisë, pas marrjes së informacionit se ky shtetas fshihej në ambientet e lokalit që kishte marë me qira nga në lagjen nr. 14, Durrës, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, ku e kanë kapur dhe ndaluar”njofton policia.

Shtetasi G. P. ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Gjatë kontrollit në lokal u gjetën një armë zjarri pistoletë dhe 2 krehër me 15 fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

I riu ishte dënuar edhe në vitin 2016 për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje” dhe në vitin 2010 për veprën penale “Vjedhja e kryer në bashkëpunim”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Ora news