Albana Vokshi e ftuar në studion e “ABC” foli për planin e Partisë Demokratike dhe ndryshimin që sipas saj pritet t’i sjellë ky program.

Sipas Vokshit, programi i kreut të Partisë Demokratike Lulzim Bashës tregon edhe ndryshimin me të cilin ka qeverisur deri më tani kryeministri Edi Rama.

Plani i PD-së,-u shpreh ajo tregon që Basha do të qeverisë nëpërmjet dijes, ndërsa kreu i PS deri më tani sipas saj ka qeverisur me krimin.

“Shkollat po shemben edhe kur nuk janë të shkatërruara sepse aty është thesi i parave dhe kjo bëhet me qëllimin për të vjedhur. Erion Veliaj do të shkojë para drejtësisë, e kemi dërguar dosjen në SPAK. Besa Shahini, Rama duhet të shkojnë para drejtësisë”, tha Vokshi.

Gjatë bisedës në studio me gazetaren Juli Xhokaxhi, Vokshi u shpreh se në fokus të PD është arsimi dhe shëndetësia.

“Mësuesit u lanë pa asnjë mjet mbrojtës edhe pse u kërkuan testime masive kjo nuk u bë. Vetëm Carterët e Erion Velisë dhe Ramës kushtojnë shumë herë më shumë. Sot 70-80 % e familjeve nuk e përballojnë sot mësimin online sepse nuk kanë asnjë mjet. Sot rrezikojmë realisht për të rritur një brez Covid, ndaj edhe fokusi i Lulzim Bashës është arsimi”, shtoi më tej Vokshi.

Shembjen e ndërtesës së spitalit “Mbretëresha Geraldinë”, Vokshi e konsideroi një akt makabër, duke e quajtur gjithashtu kriminale shembjen e një godine që është trashëgimi kulturore.

“Edhe të kishte probleme, si mund të shembet në atë mënyrë. Ajo mund të shfrytëzohej. Në të njëjtën mënyrë shembi edhe Teatrin Kombëtar. Ne këtë rast e kemi bërë publike, Prokuroria duhet të ishte atje. Për rehabilitimin dhe ristrukturimin e objekteve kulturove ka një tjetër mënyrë për tu bërë. Nuk është dëgjuar asnjë ekspert. Sot po shkatërrohet trashëgimia kulturore e Tiranës, po mbetemi pa histori. Ku po shkojmë? Është shkatërrim i identitetit kombëtar. Ky është krim, Edi Rama dhe Ogerta Manastirliu duhet të shkojnë para drejtësisë”, u shpreh ajo.

Fokus në këtë intervistë ishte edhe fushata elektorale, gjuha e përdorur nga mazhoranca si edhe shpalosja e platformës.

“Fushata e PD është e orientuar tek qytetari. Lulzim Basha ka plan konkret, ne nuk merremi me thashetheme. Nuk janë premtime janë angazhime konkrete. Kemi mekanizmin, fondet, plan konkret dhe për herë të parë një parti politike sjell programin që do të bëjë ndryshimin. Edi Rama nuk ka program, ai nuk ka prezantuar , por vetëm ka sharë. Keni parë një kryeministër në botë që përgojon çdo grua dhe burrë të një force tjetër politike. 99% e shqiptarëve e duan ndryshimin.

Në 2017 Rama erdhi me timon dhe tepsi në 2021 nuk ka as timon as tepsi, pra ai e ndjen humbjen. E vetmja gjë që bën është presioni, ai gjithashtu synon që minimizojë numrin e qytetarëve sepse në datën 25 prill pjesëmarrja e tyre i jep fitoren PD-së. Por mesazhi im është që çdo qytetar duhet t’i drejtohet kutive të votimit”, tha më tej Vokshi.