Futbolli shpesh nuk mund të mbijetojë pa mbështetjen e politikës dhe kjo po shihet gjithnjë e më shumë sidomos gjatë kësaj periudhe të pandemisë. Shtetet e ndryshme kanë vendosur rregulla për aktivitetet apo karantinimin pas udhëtimeve në vende të ndryshme, por për futbollin edhe qeveritë më rigoroze në zbatimin e tyre kanë mbyllur njërin sy, e shpesh duke ndërhyrë edhe figura të politikanëve të shtresave më të larta për të zgjidhur situata që dukeshin të komplikuara.

E tillë në fakt ka qenë edhe situata e Robert Levandovskit, një prej rivalëve të Shqipërisë në grupin e eliminatoreve të Botërorit 2022. Polonia e tij luan ndaj Hungarisë, Andorrës e Anglisë, tre sfida që shumë mirë mund të përcaktojnë rrugëtimin e saj të mëtejshëm në këtë aktivitet. Por Bajerni nuk kishte ndër mend të linte lojtarin të largohej nëse ai do të udhëtonte drejt Anglisë me rregullat që ka në fuqi shteti gjerman.

Futbollisti do të ishte i detyruar t’I nënshtrohej karantinës pas kthimit e kështu do të humbiste si sfidën ndaj Lajpcigut në kampionat, ashtu edhe duelin e pare ndaj PSG në Ligën e Kampioneve. Për të zgjidhur gjithçka është dashur ndërhyrja e politikës. Sipas “The Sun”, kryeministri polak, Mateus Moraviecki, ka telefonuar kancelaren gjermane, Anglea Merkel në mënyrë që të bëhej një përjashtim për futbollistin, duke marrë “dritën e gjelbër” nga kjo e fundit.

Kështu, Levandovski është paraqitur normalisht në grumbullim duke pasur garancinë se pas kthimit nuk do t’i nënshtrohej rregullave të karantinimit.