Kërkimet për gjetjen e Leonard Theodhorit dhe Fatmir Sulovarit nuk kanë dhënë rezultat. Policia shqiptare i ka shtuar dyshimet se ata janë vrarë dhe groposur në zonën e Ksamilit.

Për shkak se sipërfaqja ku mendohet se mund të gjenden trupat e tyre është tepër e madhe, policia shqiptare ka kërkuar ndihmën e policisë së Kosovës.

Burime i thanë Tv Klan, se nga pala kosovare është kërkuar të vihen në dispozicion disa qen të stërvitur për të tilla operacione.

Prej datës 10 prill, policia ka kryer pa ndërprerje kontrolle në disa fshatra të Ksamilit e Sarandës.

Policia ka arrestuar një 28-vjeçar të identifikuar si Sofokli Baxheri, me dyshimet se ka dijeni për personat që mund të fshihen pas zhdukjes së dy Theodhorit dhe Sulovarit.

Dy të zhdukurit janë emra të njohur për policinë pasi në të kaluar rezultojnë të kenë patur precedent në fushën e narkotikëve.