Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka reaguar pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë. Ai tha se ndërhyrja ushtarake është e papranueshme, dhe sipas tij këtë ja ka thënë edhe presidentit rus.
Erdogan theksoi se Turqia ka marrëdhënie të ngushta me të dy shtetet dhe do të bëjë pjesën e saj për sigurinë e Ukrainës.
“Veprimi ushtarak është i papranueshëm dhe ne e refuzojmë atë. Ky hap, është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe një goditje për stabilitetin e rajonit. Na vjen keq që Rusia dhe Ukraina po përballen në këtë mënyrë, pasi ne i shohim të dyja si vende mike dhe kemi marrëdhënie të ngushta politike dhe sociale.
Ne do të bëjmë pjesën tonë për sigurinë e të gjithëve në Ukrainë, me të cilët kemi marrëdhënie miqësore, këtë ja shpreha edhe një ditë më parë Presidentit Vladimir Putin.
Sot, përtej lidhjeve tona historike, po them se Turqia është pjesë e Europës dhe përpjekjet e disa qarqeve për të përjashtuar vendin tonë nga Europa janë padyshim dashakeqe. Asnjë qytetar turk nuk mund të ndihet i përjashtuar, veçanërisht i poshtëruar”, tha Erdogan.