Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur vendimin ditën e sotme për ish gjyqtaren e Krujës, Enkelejda Hoxha e cila prej muajsh është arrestuar nën akuzën e korrupsionit gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas vendimit të bërë me dije, ish gjyqtarja u dënua me 3 vite burgim. Ky dënim me gjykim të shkuartuar është ulur në 2 vite burgim. Ndërkohë gjyqtarja deri më tani ka kryer rreth 1 vit burgim gjatë kohës që janë mbajtur seancat gjyqësore të cilat janë shtyrë herë pas here.

Gjithashtu avokati, Aldo Tabaku është dënuar me 4 vite burgim, i cili konvertohet në 2.8 vite me gjykim të shkurtuar.

Dënimi plotësues i dhënë për ish gjyqtaren dhe avokatin është që për 5 vite të mos ushtrojnë asnjë funksion publik.

Hoxha u vu në pranga paraditen e 11 shkurtit bashkë me 9 persona të tjerë, në kuadër të një operacioni të mirëorganizuar nga SPAK, pasi ishte vënë në përgjim prej muajsh. Pikërisht më 11 shkurt, Hoxha, me skemën e përgatitur me ndihmën e bashkëpunëtorëve të saj, do të lironte të dënuarin për vrasje, Saimir Petani.

Ish- gjyqtarja Enkelejda Hoxha akuzohet se ka marrë shuma nga 6 mijë deri në 12 mijë euro në këmbim të lirimit të të dënuarve për vrasje.

Gjatë seancës gjyqësore, avokati mbrojtës i Hoxhës tha se klientja e tij i konsideronte këto si sulme politike të bëra ndaj saj dhe se kërkonte pafajësi.