Gjykata e Lartë ka vendosur mospranim të rekursit për ndryshim të masës së sigurisë për ish-kryebashkiakun e Bulqizës Lefter Alla.
Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla dorëzoi në Gjykatën e Lartë kërkesën për rekurs të vendimit të marrë ndaj tij, duke kërkuar masën “arrest në shtëpi”.
Më herët Lefter Alla ka kërkuar të lirohej nga burgu, duke ngritur si pretendim se kishte shqetësime shëndetësore, pasi vuante nga zemra.
Kujtomë se ish-kryebashkiaku i Bulqizës akuzohet për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Procedura tenderuese për të cilën akuza ka gjetur shkelje është ajo e ujësjellësit me vlerë afro 3 milionë euro.
Sipas hetimeve, Alla në bashkëpunim me nëpunësit kanë favorizuar një bashkim kompanish që të fitonte tenderin. Kompania fituese në fakt, rezulton se nuk ka kryer punime për kontratën e lidhur me bashkinë, por ato i ka realizuar një firmë tjetër me pronar Aqif Koneshën, që SPAK e cilëson lidhje shoqërore të kryetarit të Bashkisë.