Një 42-vjeçar me iniciale P.B. është arrestuar nga policia e Tiranës pasi akuzohet për plagosjen e dy personave.

Policia bën me dije se ditën e djeshme në ambientet e një lokali ai është konfliktuar me dy persona dhe më pas i ka qëlluar ata me kaçavidë.

Dy të plagosurit aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Njoftimi i policisë

Plagosi me mjet të fortë 2 shtetas, falë reagimit të Policisë, kapet dhe vihet në pranga 42-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se në ambientet e një lokali, një shtetas kishte goditur me mjet të fortë dy të tjerë, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij. Falë reagimit të shërbimeve të Policisë është kapur dhe shoqëruar në ambientet e Komisariatit, shtetasi:

– P. B., 42 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas, ditën e djeshme, në ambientet e një lokali, në rrugën “Kostandin Kristoforidhi”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet të fortë (kaçavidë), shtetasit M. Th. dhe R. Ll., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. B., për veprat penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja, apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.