Google tregoi në dhjetorin e vitit të kaluar se nuk do të ofrojë më ruajtjen e palimituar të fotove dhe videove në Google Photos duke filluar nga data 1 qershor 2021. Pas datës 1, “high quality” media që ju bëni upload do të fillojë të llogaritet në hapësirën 15GB që kjo kompani ofron falas.

Për të ndihmuar përdoruesit drejt kursimit të hapësirës, Google ka shtuar një shërbim të ri në aplikacionin Photos e cila do t’ju paraqesë disa foto që mund të mos ju duhen, si për shembull fotot jo të qarta dhe screenshots (të gjithë e kemi një folder plot me screenshots që nuk i shohim kurrë më).

Gjithashtu përdoruesit do të shohin një llogaritje të kryer nga aplikacioni që tregon se për sa kohë Google Account storage do të mbushet tërësisht. Kjo llogaritje do të bëhet në bazë të përdorimit që ju keni bërë gjatë kohëve të fundit. Google beson se mbi 80% e përdoruesve do të mbushin hapësirën 15GB free brenda 3 vitesh.

Sapo ju të jeni pranë limiteve të hapësirës, Google do të fillojë t’ju njoftojë. Nëse ju mbaron kjo hapësirë falas dhe kërkoni të upload-oni më tepër foto, ose duhet të fshini disa nga fotot e vjetra, ose do të abonoheni në Google One storage plan. Megjithatë, ju keni ende kohë të ruani foto ose video të cilat nuk do të llogariten në planin 15GB deri sa të vijë data 1 qershor.