Miliarderja MacKenzie Scott, është martuar me një mësues shkencash në shkollën e fëmijëve të saj, dy vite pas divorcit nga themeluesi i Amazon, Jeff Bezos.

Scott është një nga gratë më të pasura në botë dhe ka dhënë për bamirësi më shumë se 4 miliardë dollarë nga pasuria e saj. Lajmi i martesës së saj me Dan Jewett është bërë i ditur nga një faqe interneti filantropike, Giving Pledge.

“Dan është një njeri shumë i mirë dhe unë jam shumë i gëzuar dhe i lumtur për të dy ata”, tha Bezos në një deklaratë për shtyp.
Scott, që sipas Forbes ka një pasuri prej rreth 53 miliardë dollarësh, ka deklaruar që më herët se ka si qëllim të japë pjesën më të madhe të pasurisë së saj për kauza të ndryshme bamirësie. Ajo ia ka dedikuar pjesën më të madhe të donacioneve të saj, organizatave bamirëse të drejtuara nga femra, bankave të ushqimit dhe kolegjeve për studentët me ngjyrë. Ajo ka qenë e martuar me Bezos për 25 vite dhe e ka ndihmuar në krijimin e Amazon në 1994. Ajo po ashtu është edhe autore e dy novelave. Në kohën e divorcit të tyre në 2019, Bezos ishte personi më i pasur në botë, me më shumë se 16 për qind të aksioneve të tij në Amazon.

Scott, mori 4 për qind të aksioneve të Amazon, në kuadër të marrëveshjes së tyre të divorcit. Themeluesi i amazon, përballet rregullisht me themeluesin e Teslas, Elon Musk, për titullin e personit më të pasur në botë, duke ndryshuar herë pas here pozicion në përputhje me rezultatet e aksioneve të kompanive të tyre. Scott aktualisht renditet si personi i 22 më i pasur në botë ndërsa Bezos, është në krye të klasifikimeve me një pasuri prej 177 miliardë dollarësh.

Top Channel