Hakerat e grupit të mbiquajtur “Homeland Justice”, që sulmuan Shqipërinë, kanë nxjerrë video nga survejimet e Shërbimit Informativ Shqiptar. 

Një prej videove tregon survejimin e një ambasade të huaj në Tiranë, konkretisht ambasadës së Kinës. 

Ata i kanë shoqëruar videot me mesazhin; “Prisni për një bombë!”, paralajmërim që sugjeron se materiale të tjera të dëmshme pritet të publikohen. 

Publikimi i fundit tregon se hakerat kanë arritur të marrin informacion sensitiv dhe mjaft të dëmshëm për SHISH dhe shtetin shqiptar. 

Disa ditë më parë, hakerat publikuan listën e emrave të punonjësve të SHISH dhe pozicionet e tyre të punës, duke dekonspiruar kështu edhe agjentë të zbulimit dhe kundërzbulimit. 

Ata kanë publikuar udhëtimet dhe të dhënat personale të kreut të SHISH, Helindon Bendo. Gjithashtu kanë publikuar udhëtimet e kryeministrit Rama, të cilat bënë mjaft bujë në opinionin publik, për shkak se shumë prej udhëtimeve të Ramës ishin kryer me avionë charter.