Lulzim Nela dhe Ahmet Maja janë dy protestuesit e Rithemelimit që u arrestuan sot paradite nga policia e Tiranës. Ata kërkoheshin nga uniformat blu pasi gjatë protestës së parë para bashkisë së Tiranës, hodhën bomba Molotov drejt institucionit.

Ata janë arrestuar sot duke shkuar në protestë, rreth orës 10.00, teksa po i drejtoheshin bashkisë së Tiranës. Akuza ndaj tyre është ajo për mbajtje dhe përdorim të lëndëve piroteknike.

Edhe gjatë protestës së sotme, e katërta radhazi, protestuesit hodhën bomba molotov drejt bashkisë së Tiranës. Protesta u shpërnda pas rreth 2 ore.

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, sot më datë 26.04.2024, në orën 08:00, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestave të datave 11.04.2024 dhe 19.04.2024, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaloi shtetasit:

– A. M., 36 vjeç, dhe L. N., 40 vjeç, të dy banues në Borizanë, Krujë, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë protestave të zhvilluara më datë 11.04.2024 dhe 19.04.2024, kanë ushtruar akte të dhunshme, kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë, kanë hedhur lëndë piroteknike e molotov në drejtim të punonjësve të policisë dhe të Bashkisë së Tiranës.

Materialet i kaluan Prokurorisë”