Ëngjëll Brahimi i cili 23 vite më parë, vrau oficerin e policisë Astrit Braçe dhe djalin e tij vetëm 8 vjeç, ka kërkuar nga autoritetet kanadeze që të mos e ekstradojnë në vendin e lindjes.

“Gjithçka që kemi është gruaja e viktimës, e cila bëri një deklaratë pesë muaj më vonë, ku e identifikoi [të dyshuarin] nga një grup fotosh. Ndërsa, sipas dëshmive, sulmuesit ishin të mbuluar me kapuç”, tha Andrew Barbacki i mbrojtjes, këtë të martë, në gjykatën e Montrealit, duke shpresuar që Ëngjëll Brahimi të mos ekstradohet në Shqipëri.

Ëngjëll Brahimi ka përfunduar në pranga në shkurt të këtij viti pas 23 vitesh në kërkim ndërkombëtar.

Brahimi ekzekutoi në gushtin e vitit 2000 në Fier, policin Astrit Braçe, djalin e tij 8-vjeçar dhe la të plagosur nipin 10-vjeçar të të ndjerit.

Sipas mediave kanadeze, ai jetonte prej disa vitesh në Kuebek me emrin e rremë Piro Kote. Mendohet se Brahimi pas ngjarjes fillimisht kaloi në Greqi dhe më pas me dokumente false udhëtoi drejt Kanadasë, ku punonte si shofer kamioni.

Sipas asaj që shkruan tabloidi frankofon Journal de Montréal, Brahimi kërkonte të hakmerrej ndaj policisë për shkak të vdekjes së të vëllait të tij gjatë një konfrontimi me armë zjarri që kishte ndodhur disa vite më parë ku ishte përfshirë Astrit Braçe.

Më 10 gusht të vitit 2000 kur oficeri i policisë Braçe po shëtiste në plazh me gruan dhe fëmijët, Brahimi i ka zënë pritë me një automatik të mbushur me municion luftarak. Autoritetet shqiptare e gjykuan dhe e dënuan atë në mungesë me burgim të përjetshëm për veprat penale vrasje me paramendim, vrasje, tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Brahimi u arrestua në janar të këtij viti. Ndërsa Gjykata e Monteralit pritet të japë vendimin për kërkesën e shtetit shqiptar për t’u ekstraduar. Vetë i dënuari nga drejtësia shqiptar ka pajtuar tre avokatë mbrojtës dhe pritet të kërkojë lirimin me kusht javën e ardhshme në Gjykatën e Montrealit.