Kalon për gjykim çështja e ish-kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla dhe ish-zyrtarëve të tjerë të bashkisë.

Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën e Allës për pushim të çështjes. Ish-kryebashkiaku Alla dhe 10 të tjerë kërkuan gjykim të shkurtuar, teksa dy të pandehur të tjerë kërkuan gjykim të zakonshëm.

Ish-Kryebashkiaku i PS-së në Bulqizë, Lefter Alla u prangos më 15 mars të këtij viti me urdhër të SPAK, ndërkohë janë shoqëruar edhe 12 zyrtarë të tjerë të bashkisë. Në lidhje me arrestimin e Allës bëhet me dije se ai akuzohet për korrupsion dhe se ka kryer abuzime me tenderat publike gjatë ushtrimit të detyrës si kryetar i bashkisë së Bulqizës.

Po për të njëjtën arsye janë shoqëruar edhe 12 zyrtarët e bashkisë, të cilët dyshohet se kanë abuzuar me tenderat, pasi kanë qenë anëtarë të komisioneve. Arrestimi i Allës, vjen dy muaj nga zhvillimit të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 14 maj.

Tre vite më parë Alla u akuzua se konsumonte kokainë, siç dukej në një video, por ai i hodhi poshtë akuzat dhe tha se ajo është montazh. Ndërkohë nga përgjigjet e analizave të kryera pranë laboratorit të policisë shkencore rezultoi se nuk ishte konsumues i lëndëve narkotike.