Gazetari i kronikës Artan Hoxha ka reaguar pas vrasjes me breshëri plumbash të Bardhok Pllanajt, i cilësuar ndryshe dhe si kumbari i Shkodrës, dhe i dyshuar në një seri ngjarjesh kriminale të ndodhura në veri,. Hoxha fton kolegët e tij gazetarë që të heqin etiketimet i forti apo kumbari, pasi sipas tij Shkodra nuk ka njisha, dhe pas vrasjes së radhës sërish do të mbetemi në të njëjtën zhargon.

“Me 1 dhjetor 2020, media shkroi, se u vra “i forti” i Shkodres. Sot ne mbremje, serish media shkroi, se u vra “kumbari” i Shkodres… Sa here duhet ta shkruaj?! Kolege, korrigjoni titullin, historia i ka dhene te drejte, batutes: Shkodra, nuk ka njisha….

Edhe pas vrasjes se radhes, e njejta gje do te shkruhet… Por serish, Shkodra, nuk do te kete njisha…”, shkruan Hoxha në postimin e tij në rrjetet sociale.

Planaj u vra gjatë mbrëmjes së djeshme në qytetin e Shkodrës, me më shumë se 40 plumba në drejtim të makinës së tij, e cila ishte në ecje.

Kush është Bardhok Pllanaj? Bardhok Pllanaj, nuk është një emër i panjohur për policinë. Disa vite më parë 47-vjeçari i ekzekutuar këtë mbrëmje do trazonte politikën e vendit, pasi ndërsa ishte i shpallur në kërkim për trafik droge u fsheh në automjetin e ish deputetit të Kuvendit në vitit 2014, atë të Mark Frrokut, duke i shpëtuar arrestimit.

Ai ishte shpallur person në kërkim pak kohë pas aksionit të njohur si “Operacioni i Vilunit” në atë kohë në zonën e Shkodrës. Pllanaj i ka shpëtuar arrestit të policisë mesnatën e datave 1 dhe 2 Tetor 2014, pasi rezultoi i fshehur në makinën e ish-deputetit Mark Frroku. Në atë periudhë, Pllanaj sshtë mbajtur në vëzhgim nga forcat operacionale kundër narkotrafikut.

Sipas raportit të dorëzuar nga agjentët e vëzhgimit në atë kohë, thuhet se Pllanaj gjatë gjithë ditës së Tetorit 2014 ka qenë nën vëzhgim, ku përshkuhen me detaje lëvizjet e tij, makinat që ka ndërruar si dhe lokalet që ka frekuentuar. Në mesnatë 47-vjeçari, ka hipur në makinën e ish deputetit.

Rreth orës 1 pas mesnate të datës 2 Tetor, makina e ish deputeti Frroku është nisur në drejtim të Laprakës, ku policia, nga frika e largimit të personit të shpallur në kërkim, organizoi një postbllok në Kamëz, pranë Bulavardit Blu. Në momentin që makina afrohet, policia e ndalon atë, por nuk mundet të hapë dyert që ishin të bllokuara nga brenda dhe më pas agjentët janë larguar duke lënën të lirë Pllanajn.

Në tetor të vitit 2018 Bardhok Pllanaj u arrestua nga policia e cila në bashkëpunim me prokurorinë e Shkodrës e vunë në pranga për veprat penale pastrim parash, falsifikim të dokumenteve dhe ndërtim pa leje.

Policia e Shkodrës në atë kohë tha , Bardhok Pllanaj kishte filluar ndërtimin e një objekti 10-katësh pa u pajisur me dokumentet përkatëse. Objekti i ndërtimit kapte vlerën e 2 milionë Eurove dhe dyshohej se ishte financuar nga të ardhura të trafikut të drogës. Për këtë arsye, godina 10-katëshe u sekuestrua nga autoritetet.