Reagimi i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan
Në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “Fiks Fare”, gjatë të cilit u shfaq një video me pamje ku një shtetas dhunonte fizikisht një shtetas të mitur, ju bëjmë me dije se:
Menjëherë pas marrjes dijeni për këtë rast, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nisën veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Në vijim të veprimeve, shtetasi H. B., që shfaqet në video duke dhunuar të miturin, u shoqërua në Komisariatin e Policisë Librazhd. Gjithashtu, shtetasi i mitur u mor në pyetje për rastin, në prani në psikologes, punonjëses sociale, avokatit dhe të familjarëve të tij.
Nga veprimet hetimore rezultoi se kjo ngjarje ka ndodhur rreth 5 vjet më parë dhe është filmuar nga një shtetas i paidentifikuar ende. Deri në momentin e transmetimit të videos, në emisionin investigativ, Policia nuk ka patur kallëzime apo informacione për këtë rast.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin H. B., 59 vjeç, banues në Librazhd, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që ka filmuar videon e transmetuar mbrëmjen e djeshme, pasi ka konsumuar veprën penale “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.
Materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Elbasanit fton qytetarët dhe median, që të denoncojnë çdo paligjshmëri, duke iu garantuar reagim ligjor, të menjëhershëm dhe të paanshëm.