Këshilli i Lartë Gjyqësorë dëgjoi të enjten konkluzionet përfundimtare të palëve në çështjen që Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka ngritur kundër gjyqtarit të Gjykatës së Elbasanit Taulant Tafa. Ai është proceduar nga ILD për vendimin që i uli 720 ditë dënimi Arben Grorit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje.

Në fjalën e saj përfaqësuesja e ILD-së Lindita Ziguri tha se Tafa kishte kryer një sërë shkeljesh në marrjen e vendimit dhe kishte neglizhuar e shtrembëruar faktet. Ajo tha se vendimi ishte “shkelje shumë e rëndë, që diskrediton rëndë figurën e magjistratit”.

Pasi bëri një pasqyrë të shkeljeve të gjetura në vendim Ziguri i kërkoi Këshillit të Lartë Gjyqësorë që të merrte ndaj Tafës masën e shkarkimit nga detyra. “Vlerësohet se ndaj magjistratit duhet të jepet masa shkarkim nga detyra”, tha Ziguri.

Vetë Tafa po ashtu i pranishëm në seancë tha se nuk kishte konkluzione përfundimtare për të paraqitur. Ai tha se u qëndronte “tërësisht atyre që kam parashtruar në seancë dëgjimore”. Tafa megjithatë u duk se pranoi që vendimi kishte probleme. Ai i tha Këshillit që kërkonte të rrëzohej kërkesa e ILD për shkarkim dhe “të caktohet një masë disiplinore më e lehtë në varësi të shkeljes siç kam pranuar në qëndrimin tim”.

Gjyqtari i Gjykatës së Elbasanit, Taulant Tafa është i katërti magjistrat që rrezikon të humbasë statusin e tij për shkelje të ligjeve që kanë të bëjnë me lirimin me kusht apo uljet e dënimit. 

Tafa akuzohet se ka favorizuar në mënyrë të paligjshme Arben Grorin, duke pranuar kërkesën e tij për uljen e dënimit me 720 ditë. Grori është fajtor për vrasjen në Itali në Naim Zyberit në vitin 1997, në bashkëpunim me Gerd Gjinerarin, lirimi me kusht i të cilit çoi në shkarkimin nga KLGJ të gjyqtarit të Korçës Markelian Kuqo. Sipas ILD-së, Tafa ka zbatuar në këtë rast një standard të ndryshëm nga vendimet e tij të mëparshme për çështje të ngjashme. /Birn