Koordinator i Bindjes Demokratike në Korçë Nardi Olli, e ka konsideruar si të vonuar  por dhe jo aq padjallëzore dorëheqjen e Lulzim Bashës nga kreu i PD.

Në një prononcim për CNA.al, ai tha se Basha ka lënë prapa një fushë të minuar.

“Ishte e pritshme, madje shumë e vonuar. Dhe si çdo gjë në këtë botë që zvarritet gjatë nuk është e thënë patjetër që të bëjë mirë edhe kur më në fund litari këputet.Ndaj është shumë herët për ta parë atë si një çlirim për fatin e Partisë Demokratike. Mendoj që i ka shtuar edhe më shumë pikëpyetjet për perspektivën e saj politike, pasi ka lënë prapa një fushë të minuar. Tani varet shumë se si do ta lexojnë protagonistët e tjerë ikjen jo aq të padjallëzuar të Lulzim Bashës.

Një largim shumë i vonuar që e lë në hije edhe vetë dorëheqjen.  Kjo jo vetëm për faktin se ka shkatërruar në ideologji dhe strukturë PD.

Nga ana tjetër, përçarja që është mbjellë në bazën e demokratëve është jashtëzakonisht e thellë. Për më tepër karrierat e dhuruara dhe individët që kanë përfituar ky element janë pjesë e grupit parlamentar, pra efektet Basha si këto do të jenë prezent për një kohë të gjatë në PD apo gjihtë spektrin e djathtë. Por, pavarësisht prej kësaj, edhe pse shumë e vonuar është një moment  që krijon një hapësirë serioze për të ringritur të djathtën në tërësi dhe PD në veçanti. Tashmë mbetet për të parë se çfarë rrugëtimi dhe strategjie do të ndiqet për të arritur në këtë moment. Burimet njerëzore apo tërësia ideologjike është prezentë, pjesa tjetër është thjesht dhe vetëm vullnet njerëzor, nëse do të krijohet një parti me themele realisht demokratike, e cila do të jetë model i ri për gjihtë forcat politike në vend, ku kryetarokracisë t’ i jepet fund një herë e përgjithmonë jo vetëm me listë dëshirash por me mekanizma ligjorë dhe statutorë të pacenueshëm dhe ta pashkelshëm prej askujt. Sot ka realisht një shpresë për ta bërë këtë, duke nxjerrë mësime konkrete nga e shkuara”, tha Olli./E-T-CNA.al