Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për incidentin në Gramsh. Në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Luksemburgut, Rama tha se duhet parë qëllimi i vërtetë i tre të huajve në vendin tonë.

“Nuk kam pasur mundësi të shprehem lidhur me këtë edhe pse ministrat kanë bërë shpjegimet. Mjegulla e ngritur mbi objekte të rëndësisë së veçantë ishte për të qarë dhe për të qeshur. Ato nuk janë objekte të rëndësisë së veçantë, as  fabrika që prodhojnë armë. Janë të deklasifikuara si objekte në vitin 2012. Dhe faktikisht kanë statusin e shpk. që janë të falimentuara dhe që janë deri në pikën për shkak se nuk kanë mundësi të paguajnë iu priten edhe dritat, kanë edhe disa roje aty. Të thuash që po bëj spiunazh duke fotografuar ato mbetje të komunizmit është shumë qesharake.

Ajo që na shqetëson ne është këta persona çfarë qëllimesh të vërteta kanë. Një mision spiunazhi që shfaqet me veturë sportive është pak si qesharake. I takon hetimit të nxjerrë më shumë. Shqetësimi ynë është ku është qëllimi i vërtetë, përveç krijimit të kësaj mjegulle që në fund të ditës i shërbeu nxitjes së një sëkëlldije. Njerëzit e thjeshtë bënë shumë humor me këta. Çfarë fshihet pas gjithë këtij spektakli”, deklaroi Rama.