Çmimet kanë shënuar një rritje të ndjeshme në muajin Mars, duke shtrenjtuar koston e jetesës për familjet shqiptare, që mesatarisht 42% të shpenzimeve i çojnë për ushqime, sipas anketës së buxhetit të familjeve.

Në raportin e fundit të publikuar nga INSTAT vihet re se inflacioni apo Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Mars arriti në 5.7%. Ky është niveli më i lartë që prej vitit 2002.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin Mars është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +3,31%, pasuar nga grupi “Transporti” me +1,08 pikë përqindje.

Në raportin e INSTAT çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” janë rritur me +0,44%, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,24%. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,19%.

Sipas INSTAT krahasuar me Marsin e 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 9,3%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4,9% .

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” me 22,4%, pasuar nga nëngrupet “bukë dhe drithëra” me 15,8%, “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 10,5%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 10,3%.

Rritja e çmimeve të konsumit ishte e pritshme për shkak të luftës në Ukrainë dhe impaktit të saj në tregjet globale.