Katër shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, janë arrestuar nga Interpoli në tre shtete europiane, Itali, Gjermani dhe Francë. Ata janë dënuar me burg nga Gjykatat shqiptare dhe menjëherë pas mbërritjes në Rinas janë dërguar në qeli për kryerjen e procedurave të mëtjeshme.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Zyrat Qendrore përkatëse të Interpol-it në Europë, u bë i mundur arrestimi i këtyre shtetasve, si dhe u finalizua ekstradimi i tyre drejt vendit tonë, me qëllim vuajtjen e dënimit.

Në kuadër të bashkëpunimit me homologët italianë, nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Italia, shtetasi shqiptar:

  • Bekim Lekaj, 30 vjeç, banues në Tropojë.

Këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër e ka dënuar me 8 vjet, 2 muaj e 10 ditë burgim, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.

Nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Stuttgart, Gjermani, drejt vendit tonë, shtetasi shqiptar:

  • Romario Kapidani, 28 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 5 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 vjet e 8 muaj burgim.

Gjithashtu, nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Dusseldorf, Gjermani, shtetasi shqiptar:

  •  Ervis Martini alias Ervis Krasniqi, 29 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. 

Në vijim të bashkëpunimit me homologët francezë, nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Parisi, Francë, shtetasi shqiptar:

  • Deivis Jaho, 30 vjeç, lindur në Kamzë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 1 vit burgim, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.