Banorët e Floqit të Librazhdit ankohen se punimet për rehabilitimin e qendrës së fshatit kanë mangësi të theksuara. E vetmja ndërhyrje që është bërë është shtrimi i sheshit me pllaka.

“Qendra e fshatit nuk ka përfunduar plotësisht u shtruan ca tulla. Kërkojmë të përfundojë me lulishte çezmë dhe drita për fshatin. Ky shesh nuk është funksional, s’ka stola të ulemi në pleqtë. Projekti ka mbetur për gjysmë. Na thanë që do bëhej në vjeshtë nuk u bë, të shohim në pranverë. Duhet bërë lulishtja anash që llumi që del të pengohet të mos hyjnë në shesh, të rrijë gjithmonë i pastër”, thotë banori i zonës.

Bashkia e Librazhdit për rehabilitimin e shesheve të fshatrava Floq dhe Togëz caktoi një vlerë prej 8 milionë lekë pa tvsh dhe për punimet përzgjodhi kompanitë “Mona” dhe “Liqeni VII”. Kryeplaku I Floqit, Medi Hasballa tregon se i kërkuan llogari dhe administratorit të kompanisë që ka fituar tenderin.