Investimet në rrjetet celulare vitin e kaluar arritën vlerën e 6.9 miliardë lekëve ose rreth 56 milionë eurove.

Sipas të dhënave paraprake nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), investimet në këto rrjete janë rritur me 64% krahasuar me një vit më parë. Mbështetur në të dhënat që raporton AKEP, vlera e investimeve të operatorëve ka arritur nivelin më të lartë që nga viti 2010, por sidoqoftë këto shifra ende duhet të konfirmohen nga pasqyrat e audituara financiare të kompanive.

Tregu i shërbimeve celulare pësoi rënie për të katërtin vit radhazi në 2020 dhe të ardhurat totale të operatorëve kishin vlerën e 23.9 miliardë lekëve, në rënie me 9% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, konkurrenca dhe nevoja për të rritur cilësinë e shërbimit të internetit duke se ka ndikuar në rritjen e investimeve të operatorëve.

Sipas AKEP, rritja e investimeve dëshmohet nga përmirësimin i shërbimeve broadband nga rrjetet celulare, si edhe nga përmirësimi i cilësisë së thirrjeve zanore.

Duke pasur parasysh se shërbimet celulare janë gjithnjë e më të orientuara te interneti, edhe pjesa dërrmuese e investimeve ka shkuar pikërisht për të rritur cilësinë e këtyre shërbimeve. Volumi i të dhënave të transmetuara nëpërmjet internetit në rrjetet mobile, arriti në rreth 89 milionë Gb, në rritje me rreth 28.6% krahasuar me vitin 2019.

AKEP vlerëson se vitin e kaluar u shënuan përmirësime të mëtejshme për sa i përket mbulimit të territorit dhe popullsisë me rrjet 4G. Mbështetur në raportimet e kryera nga operatorët, One Telecommunications sh.a., është operatori që ka mbulimin më të gjerë me këtë

teknologji, duke arritur nivelin 93.7% të mbulimit të territorit dhe 98.1% të mbulimit të

popullsisë. Vodafone Albania ka raportuar mbulim të territorit me rrjet 4G në masën 91.2% dhe të popullsisë në masën 98.4%. Albtelecom, ka mbulimin më të ulët me rrjet 4G, me 30% të territorit dhe 72% të popullsisë.

Sidoqoftë, të dhënat e mësipërme mbështeten në raportimet e operatorëve dhe nuk janë të certifikuara apo të verifikuara nga AKEP. Shpesh mbulimi me shërbim 4G nuk është optimal, madje edhe brenda qendrave të mëdha urbane.

Opensignal është një kompani që kryen matje periodike të cilësisë shërbimit në rrjetet celulare dhe disa nga gjetjet e saj citohen edhe në raportet e AKEP. Në raportin e fundit për Shqipërinë, kjo kompani analizon matjet e përdoruesve të saj nga rrjetet celulare shqiptare për periudhën 1 janar-31 mars 2021. Nga të dhënat krahasuese të opensignal.com, kompania që ka performancën më të mirë për sa i takon shpejtësisë mesatare të shkarkimit (download) të të dhënave nga rrjetet celulare është One, me 33.3 Mbps (megabit për sekondë), e ndjekur nga Vodafone me 32.2 Mbps. Edhe shpejtësinë e ngarkimit të të dhënave (upload) sërish One kryeson me 10.9Mbps, e ndjekur nga Vodafone me 9.1 Mbps.

Performanca e rrjetit të dy operatorëve më të mëdhenj në Shqipëri është në nivele ndjeshëm më të larta krahasuar me mesataren botërore, që, sipas opensignal, për shkarkimin e të dhënave është 23.2 Mbps, ndërsa për ngarkimin e tyre është 7.5 Mbps.

Ndërkohë, për sa i takon disponueshmërisë së shërbimit 4G, e matur si përqindje e kohës totale, One dhe Vodafone janë në nivele të përafërta, përkatësisht 87.6% dhe 87.4%