Ish-zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi thotë se prokuroria dhe policia ka të gjithë të drejtën të hetojë lidhur me shtetasit rusë të kapur në uzinën e Gramshit për sa kohë kemi të bëjmë me një zonë ushtarake.

Koçi u shpreh, në emisionin ‘Now’ në Euronews Albania, se me shumë gjasë nuk bëhet fjalë për spiunazh të mirëfilltë, duke qenë se nuk kishte material për spiunazh, por fakti që rusët kanë depërtuar në një zonë ushtarake dhe kanë përdorur armatim neutralizues e bën të dyshimtë.

Sipas tij, nisur nga situata kur ka ndodhur ngjarja, me luftën Rusi-Ukrainë, misioni i të arrestuarve mund të ketë qenë edhe vetëm që të ndezin debatin e brendshëm mbi mungesën e sigurisë në objektet ushtarake të Shqipërisë.

“Duke pasur parasysh situatën kur ka ndodhur ngjarja, lufta Rusi-Ukrainë, edhe lajmet që s’kanë shumë brumë mund të kthehen në një debat. Mund të jetë edhe një mision kaq i thjeshtë; për të sjellë debatin e brendshëm se si është e mundur që kanë hyrë në një zonë ushtarake”,  tha Koçi.