Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilrijan Celibashi zhvilloi një konferencë për mediet ku prezantoi emrat e rinj të kandidatëve pas zgjedhjeve të 25 prillit.
I pyetur për numrin e lartë të votave të pavlefshme Celibashi theksoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë një fushatë informimi dhe edukimi si asnjëherë tjetër.
Sipas tij është përdorur çdo mjet i komunikimit masiv që nga media tradicionale dhe deri tek rrjetet sociale për të thjeshtëzuar modelin e ri të fletës së votimit.
Dilemës se nëse do kishte rreth 80.000 vota të pavlefshme në rang kombëtar, po të ishte përdorur modeli i fletës me emra, kryekomisioneri e argumentoi si çështje këndvështrimesh, por megjithatë pranoi se duhet bërë një analizë.
“Në vlerësimin tim nëse fleta e votimit do të ishte me emra ndoshta mund të ishte ndryshe, por nga ana tjetër vendimmarrja e KAS-it dhe Kolegjit Zgjedhor konsideroi fletën e votimit me numra si më të thjeshtë,” tha Celibashi.