Pas dy vitesh e gjysëm i raportuar si i zhdukur është gjetur i pajetë trupi i Klevis Lleshit. Burime për mediat bëjnë me dije se trupi i 24-vjeçarit është gjetur i groposur në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit.
Ai është zbuluar si rezultat i erozionit dhe banorë të zonës kanë njoftuar policinë e cila më pas ka kryer testin e AND-së dhe ku ka rezultuar se i përkiste të riut nga Mati, Klevis Lleshi.
Prokuroria e Matit kishte nisur hetimet pas denoncimit të familjarëve në qershor të vitit 2020 se Klevis Lleshi dyshohej të ishte marrë peng në afërsi të Pallatit të Sportit në Burrel.
Në qershor të vitit 2020 nëna e të riut u shpreh se nuk kishte kontakt me të birin dhe në momentin që u largua nga shtëpia ai do të takohej me disa shokë për të pirë kafe,
“Doli për kafe me shokët 10 ditë më parë dhe dyshoj se shokët e kanë çuar te hasmi. Në jemi në gjakmarrje me familjen Hoxha”, shprehej asoj kohe Fatbardha Lleshi.
Saga e vrasjeve në familjen Lleshi ka nisur dhjetë vite më parë. I ati i Klevisit, Xhavit Lleshi u vra në një pritë në vendin e quajtur “Pujkë” në vitin 2013, ndërsa pak vite më pas i është vrarë xhaxhai Hajredin Lleshi, pranë shtëpisë.
Shkak i gjithë këtyre tragjedive, është bërë vrasja dhe djegia në makinë e Afrim Hoxhes në vitin 2012, në Britani. Për vrasjen e tij është dënuar me burg përjetë Arben Lleshi.
Nga ana tjetër vetë Klevis Lleshi ishte në kërkim nga policia pasi kishte kanosur për ta vrarë Mariglen Hotin.