Ish-ministri Genc Pollo ka realizuar një opinion kritik ndaj ushtrisë shqiptare, ku ndër të tjera i akuzon për mungesën e helikopterëve funksionalë.

Në një kohë kur ishulli i Sazanit është përfshirë nga flakët masive, Pollo thotë se helikopterët janë jo funksionalë, dhe sipas tij, kjo pasqyrohet një vit më parë gjatë sezonit të verës kur shpërthyen zjarret në pyje.

Pollo sjell në vëmendjen e një rasti të një muaji më parë të një polici të aksidentuar në Dukagjin për të cilin u thirr ndihma e një helikopteri të KFOR-it nga Kosova.

“Megjithatë, helikopterët janë jofunksionalë siç e pamë vjet në verë kur plasën zjarret në pyje apo edhe një muaj më parë kur për të shpëtuar një polic të aksidentuar në Dukagjin u thirr në ndihmë një helikopter i KFOR-it nga Kosova” – thuhet në një pjesë të shkrimit të Pollos.

Një tjetër situatë problematike për Pollon, është dhe shërbimi i mirëmbajtjes së anijeve dhe helikopterëve, që sipas tij, vuajnë nga inkompetenca abuzimi dhe korrupsioni.

“Problem për helikopterët e anijet është shërbimi mirëmbajtjes që vuan nga inkompetenca, abuzimi e korrupsioni. Qeveria rilindiste ka heshtur për këto skandale. Vetëm së fundmi përballë një interpelance shteruese të një deputeti opozitar, ministri i Mbrojtjes paraqiti një justifikim hileqar:

“Unë nuk kam firmosur në asnjë rast që privatët të marrin trojet e bazave”, por nëse ka ndodhur më parë “kini parasysh se Shqipëria ka nevojë për zhvillim”. Edi Rama ditën e votimit për Presidentin foli për herë të parë për skandalin duke e quajtur të paqenë. Këto kallëzime e denoncime “te ne janë sport kombëtar” tha ai. Ndryshe nga ministri aktual, Kryeministri ka nënshkruar VKM për zhvatjen e disa nga bazave detare” – shkruan Pollo.

Një kritikë e tillë vjen në një kohë kur vetëm 24 orë më parë, ishulli i Sazanit është përfshirë nga një zjarr i madh. Dhjetra forca janë angazhuar për të shuar flakët.