Italia synon të vaksinojë të paktën 80 për qind të popullatës së saj deri në fund të shtatorit

Qeveria e re e vendit, e kryesuar nga Mario Draghi, tha të shtunën se vaksinimi në shkallë kombëtare është një nga qëllimet kryesore të saj. E gjithë kjo vjen në mesin e kritikave për ecurinë e ngadaltë të vaksinimit në të gjithë bashkimin evropian, për shkak të furnizimit të ngadaltë me doza nga ana e kompanive të prodhimit të vaksinave dhe problemeve të tjera logjistike. Në Itali, vetëm më pak se dy milionë persona, ose afro 3 për qind e popullatës, janë vaksinuar plotësisht ndaj virusit.

Italia po përballet ndërkohë edhe me rritjen e rasteve të koronavirusit dhe nga e hëna, disa rajone të vendit do të klasifikohen si zona të kuqe. Kjo do të thotë se dyqanet do të mbyllen dhe shkollat do të kthehen online.

Infektimet janë rritur shumë ditët e fundit me ministrinë e shëndetësisë që raportoi më shumë se 26 mijë raste të reja të shtunën. Spitalet në vend po përballen po ashtu me një rritje të shtrimeve në njësitë e kujdesit intensiv për pacientë me koronavirus. Italia aktualisht ka 3.2 milionë raste infektimesh me koronavirus. Pas Britanisë së Madhe, Italia ka edhe numrin më të lartë të viktimave të koronavirusit me gjithsej 101.881 humbje jete.

Top Channel