Ish-bosi i Formula 1, Bernie Ecclestone ka deklaruar se është gati të “marr një plumb” për presidentin rus, Vladimir Putin.

91-vjeçari, i cili u hoq nga posti i shefit ekzekutiv kur grupi amerikan Liberty Media bleu F1 në 2017, shtoi se lufta e presidentit rus në Ukrainë “nuk ishte e qëllimshme”.

Ai e përshkroi Putin si një person të arsyeshëm dhe të klasit të parë, që po bënte gjënë e duhur për Rusinë.

Biznesmeni miliarder kritikoi gjithashtu liderin ukrainas Volodymyr Zelenskyy se nuk bëri përpjekje të mjaftueshme për të kontaktuar rivalin e tij rus.

“Personi tjetër në Ukrainë, profesionin e tij unë e kuptoj, ka qenë një komedian dhe mendoj se duket se ai dëshiron të vazhdojë atë profesion. Mendoj se nëse ai do të kishte menduar gjërat, patjetër do të kishte bërë një përpjekje mjaft të madhe për të folur me Putinin, i cili është një person i arsyeshëm, dhe do ta kishte dëgjuar atë dhe ndoshta mund të kishte bërë diçka për këtë”, tha Ecclestone.

Kur iu vendos në dukje se pushtimi rus i Ukrainës kishte marrë jetën e mijëra njerëzve të pafajshëm, Ecclestone thjesht u përgjigj: “Nuk ishte i qëllimshëm. Zelensky duhet të kishte bërë më shumë për të shmangur luftën.”

Ecclestone tha se nuk kishte folur me “mikun” e tij që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt.

Por shtoi: “Unë jam absolutisht i sigurt se ai tani do të donte të mos kishte filluar gjithë këtë, por nuk filloi si një luftë.”

Pas deklaratave të tij, ka reaguar Formula 1 duke thënë: “Komentet e bëra nga Bernie Ecclestone janë pikëpamjet e tij personale dhe janë në kontrast të plotë me pozicionin e vlerave moderne të sportit tonë.