Qeveria bën gati projektligjin për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale.

Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për kultivimin, prodhimin dhe qarkullimin e kontrolluar të bimës dhe nënprodukteve të kanabisit, për përdorim mjekësor dhe industrial, përmes subjekteve të licencuara dhe nën mbikëqyrjen e Agjencisë Kombëtare të Kontrollit dhe Monitorimit të Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale dhe Prodhimit të Nënprodukteve të saj.

Subjektet që pajisen me licencë, sipas parashikimeve të këtij ligji në rastin e kanabisit për qëllime mjekësore zotërojnë njëkohësisht një licencë tjetër të ngjashme në një vend tjetër të zonës së OECD-së si dhe janë zotërues të GMP (Good Manifacturing Practice/Praktika e mirë e prodhimit), të lëshuar nga EMA (European Medical Agency/Agjencia Europiane e Barnave) ose FDA (Food and Drug Administration/ Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat);

Subjektet që pajisen me lejen e kultivimit të cilët ushtrojnë aktivitet si persona juridikë, persona fizikë ose si fermerë, raporton Ora News. Gjithashtu do të krijohet Agjencia Kombëtare e Kontrollit dhe Monitorimit të Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale dhe Prodhimit të Nënprodukteve të saj.

Agjencia organizohet dhe funksionon në nivel qendror, si person juridik publik me seli në Tiranë dhe do të jetë në varësi të ministrit përgjegjës për Shëndetësinë. Agjencia e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe bashkëpunon me institucionet e administratës shtetërore në nivel qendror dhe vendor.