Seanca plenare në Kuvend ka vijuar me debate të forta  në ditën e dytë të saj.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali i është kundërpërgjigjur ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili i bëri thirrje kryeparlamentares Lindita Nikolla të mos i tolerojë sjelljet e Edi Ramës.

Spiropali tha se Berisha është sjellë “si kokosh gjithë jetën”, teksa shtoi se si ish-kryeministër, Berisha duhet të fliste për gjëra që u përkasin të gjithëve,

“Ai që e ka përdorur gjuhën si shpatë pushtuesi pa pikë mëshirë, jo vetëm për kundërshtaret por edhe për baballarët nënat e fëmijët kurrë nuk ka pasur as ndrojë. Sali je sjellë si kokosh gjithë jetën në foltore por të gjithë bashkë jeni më pak se një thelë. Nuk e di me çfarë guximi përdorni ato fjalë që i nxirrni me lehtësinë e atij që nuk e ka problem kush e dëgjon. E thatë vetë një ish drejtues i këtij vendi që nuk lë rast papërdorur fjalët hajdut, ordiner, tualet, etj. Unë do doja që një ish kryeministër i vendit tim të ishte këtu në moshën tuaj dhe të kishte dinjitetin për të folur për gjëra që u përkasin të gjithëve, për tu ngritur në lartësinë që nuk e pate kur ishe në detyrë.

Ajo rregullorja qe ju e përmendni, apo kodi etik më mirë t’i hedhim aty ku thatë ju se nuk ka më kuptim. Ka dhunë, bllokim foltore dhe kur nuk jeni ju është zëvendësi juaj që e bllokon. Nuk flet dot njeri, as për ligjet as për iranianët se edhe atyre do ti dilni në mbrojtje. Ju edhe për Zotin këtu do të dilni këtu të thoni fjalën e fundit. Do të bëjmë këtu një Kuvend që të ketë hije. Dilni flisni, por jo ju për Kodin Etik që as kod dhe as etikë nuk keni përdorur kurrë. Kërkoj që rregullorja të zbatohet një më një që ne të ruajmë dinjitetin e funksioneve që kemi marrë përsipër, jo të Edi Ramës apo të Sali Berishës”, tha Spiropali. /abcnews.al